Ceremonia e Hapjes së Konferencës së Dytë Ndërkombëtare për Shkencat Humane dhe Shoqërore (IBU-ICSSH2017) e organizuar nga Universiteti Ndërkombëtar i Ballkanit u mbajt më 12 maj 2017 në Holiday Inn Shkup. Nën temën “Duke sfiduar botën: sfidat, mundësitë dhe përgjegjësitë” dhe me pjesëmarrjen e më shumë se 100 pjesëmarrësve nga 11 vende të ndryshme, kjo konferencë trajtoi tema të ndryshme të shkencave shoqërore dhe shkencave humane si Shkencat Politike, Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Menaxhim, Biznes, Ekonomi, Filologji, Psikologji, Studime Juridike, Histori dhe Arte.

Auditori u përshëndet nga rektori i UNB, Prof. Dr. Ismail Kocayusufoglu i cili foli për rëndësinë që UNB i kushton kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se IBU-ICSSH do të vazhdojë të rritet si një platformë ku shkencëtarët dhe hulumtuesit nga e gjithë bota do të mblidhen dhe do të ofrojnë tezat dhe idetë e tyre për çështjet e ngritura. Rektori Kocayusufoglu falenderoi Halkbank SHA Shkup për mbështetjen e tyre në organizimin e kësaj konference.

Folësi kryesor i IBU-ICSSH2017 ishte z. Aytekin Ayden, koordinator i Agjencisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Turk (TIKA), i cili paraqiti programet dhe projektet e këtij aktori të rëndësishëm global në luftën kundër sfidave me të cilat ballafaqohet bota.